Policia e Kosovës ka njoftuar se më 11 dhe 12 shkurt 2026 janë realizuar dy ekstradime të shtetasve kosovarë, të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë dhe institucionet gjermane.
Sipas njoftimit, më 11 shkurt 2026 është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë një shtetas kosovar, i cili ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
I dyshuari, pas ekstradimit, i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës për vazhdimin e procedurave ligjore.
Ndërkaq, më 12 shkurt 2026 është realizuar ekstradimi nga Kosova për në Gjermani i një shtetasi tjetër kosovar, i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet gjermane për përfshirje në veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “grabitje”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ekstradimet janë realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare ndërmjet dy vendeve, si dhe falë bashkëpunimit të ngushtë institucional ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Tutje, Policia ka theksuar se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.