18 persona kanë humbur jetën nga aksidentet vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në vendin tonë.
Kështu kanë konfirmuar për “Gazeta Blic” nga Policia e Kosovës.
Nga statistikat e këtyre dy muajve shihet se ka patur një numër të lartë aksidentesh, plot 2729.
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, ka renditur faktorët kryesorë që shkaktojnë aksidente në komunikacion.
Dedaj në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se shpejtësia e lëvizjes është faktori kryesor që shkakton aksidente në 80% të rasteve.
“Faktori kryesor që shkakton aksidente në sezonin e fillimit pranveror, është shpejtësia e lëvizjes së automjeteve që e tejkalon shpejtësinë e kufizuar, kjo është hiq më pak se 80%.Pastaj vijnë elementet e tjera që ne i konsiderojmë si elementet e faktorit rrugë dhe faktorit automjet të cilat janë në një përqindje shumë më të vogla. Kryeisht tek aksidentet me fatalitet ndikojnë ndryshimet e kushteve atmosferike, duke qenë se rrugë tona shumë pak e kanë të rregulluar drenazhimin dhe largimin e ujit prej rrugës.Tek aksidentet me fatalitet kryesisht është shpejtësia e lëvizjes” tha Dedaj për “Gazeta Blic”
Dedaj tha se në Kosovë nuk bëhen hulumtime të elementëve që ndikojnë tek aksidentet.
Sa i përket fushata sensibilizuese, eksperti Dedaj, tha se të njëjtat munden me pas efekt secondar por jo primar.
“Tek ne nuk bëhen analiza dhe hulumtime, sepse po të bëheshin do të dilte se tek aksidentet me fatalitet ndikojnë disa faktorë.Sado të ndërmarrim fushata sensibilizuese kur nuk bëjmë hulumtimin e elementëve të faktorëve të cilët kanë ndiku në aksidente, në bazë të këtyre hulumtimeve duhet të merren edhe masat preventive, Kosova nuk i bën sepse nuk ka institucionet përkatëse me i kry. Fushata të tilla për vetdijësimin e drejtuesve të automjeteve, ato munden me pas vetëm efektin secondar jo primar. Tek edukimi i drejtuesve të automjeteve merren masat edukative pastaj masat preventive, pastaj merren edhe masat ndëshkuese. Kjo është faza që çdo muaj duhet paraparë, janë disa elemente të faktorëve të cilët ne mundemi me i ba psh një muaj apo një sezon. Por janë edhe disa te tjera siç është matja e shpejtësisë së levizjes për tërë vitin. Këto gjera nuk i kanë identifiku. Policia vjen me fushata sensibilizuese çdo tre muaj, në shtetet tjera ka fillu përgatitja për sezonin veror dhe ne jemi në ‘gjumë’. Ministria e Infrastrukturës nuk e merr asnjë veprim të tillë” tha Dedaj.