Eksperti amerikan për Ballkan, Daniel Server tha sot se Serbia duhet të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe të vendosë marrëdhënie zyrtare me Prishtinën në nivelin diplomatik.
Në blogun e tij ” Peacefare.net “, Server propozoi “Non-paper” e tij për Ballkanin Perëndimor, në të cilin ai deklaroi se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve në rajon janë të padiskutueshëm, duke insistuar në respektimin e të drejtave të popujve pakicë.
“Është e rëndësishme që Perëndimi të veprojë tani, sepse krijimi i problemeve nga Rusia dhe financimi kinez minojnë demokratizimin e Serbisë, rivendosin ambiciet rajonale të Beogradit, dobësojnë Malin e Zi dhe shtetësinë e Bosnjës. Nëse rajoni mbetet në gjendjen e tij aktuale, ne mund të presim paqëndrueshmëri në rritje, konflikte etnike, dobësi të shtetit, migrim të shtuar të popullsisë dhe autoritarizëm në rritje,” shkroi Server, transmeton Indeksonline.
Ai vlerësoi se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e BE nuk ka sjellë pothuajse asnjë përparim gjatë tetë viteve të kaluara, kryesisht sepse u pengua nga ndarjet midis Uashingtonit dhe Brukselit.
“Nuk ka nevojë të nxitojmë për të ringjallur dialogun. Presidenti i (Serbisë), Aleksandar Vučić, tha qartë se ai nuk do ta njihte Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Serbi, në pranverën e vitit 2022. Deri atëherë, do të duhet një vit për të përgatitur terrenin në BE, si dhe në Serbi dhe Kosovë, për normalizimin bazuar në njohjen reciproke, “tha Server./Indeksonline/