Projektbuxheti për vitin 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro po kritikohet nga ekonomistët. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se deri në lexim të dytë, ky projekt duhet të ndryshohet e pasurohet. Kryesisht, kritikat për buxhet janë tek investimet kapitale sipas tyre.
Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024 po kritikohet nga ekonomistët e vendit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i tha Radio Kosovës se kërkesë e Odës është që të ketë më shumë projekte konkrete kapitale. Rafuna tha se Projektbuxheti i vitit 2024 ka disa të meta, ndërsa, siç thekson ai, i njëjti duhet të pasurohet para se të kalojë në lexim të dytë.
“Nëse e sheh te shpenzimet kapitale, shohim një shumë më të madhe se sa viti paraprak mirëpo, çështja dhe pikëpyetja që po vije duke parë praktiken e këtyre dy viteve të fundit është se sa po shpenzohen ato mjete të parapara për investime kapitale. Në këtë rast, nëse e marrim këtë vit, jemi në nëntor dhe ende nuk e ka arritur 50% e shpenzimeve të cilat kanë qenë të parapara. Kështu që kërkesa jonë është që ajo shumë që është e paraparë në buxhet të shtetit të shpenzohet e të fillohet me procedura sa më herët që është e mundur se edhe procedurat e prokurimit marrin kohë. Kërkesa jonë është që të ketë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e brutoproduktit vendor”, tha Rafuna.
Ai tutje theksoi se në projektbuxhet shihet se rritja ekonomike planifikohet të vije nga konsumi publik e privat, remitenca dhe rimëkëmbja ekonomike. Por sipas tij, këto planifikime, nuk mund të jenë të sigurta.
Ndërsa Besart Dreshaj nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës, kërkoi që në vitin 2024, të ketë më shumë mbështetje për bizneset. Ai i tha Radio Kosovës se në vitet e kaluara realizimi i ulët i investimeve kapitale, ka lënë pa punë shumë kompani.
”Nëse e shohim buxhetin janë vetëm 5.5 milionë euro të ndara për KIESA për përkrahje të ndërmarrjeve. Për neve si lidhje e bizneseve është shqetësuese realizimi i investimeve kapitale nga viti i kaluar por edhe këtë vit ku nga vlera 899 milionë euro të destinuara për investime kapitale janë shpenzuar vetëm 263 milionë euro. Ky realizim i ulët ka lënë pa punë shumë kompani dhe vendore që punojnë në organizata buxhetore”, tha ai.
Eksperti i fushës së ekonomisë, Safet Gerxhaliu, tha për Radio Kosovën se projektbuxheti i vitit 2024 nuk mund të quhet zhvillimor duke e pasur parasysh inflacionin dhe shumë dukuri që e kanë karakterizuar vitin 2023.
“Ky buxhet nuk mund të quhet projekt zhvillimor kur shihet se pjesa dërmuese e orientimeve buxhetore do të jetë në politikë sociale dhe në anën tjetër në projektbuxhet ka ndarje për investime kapitale, mirëpo të njëjta viteve të fundit janë duke munguar. Nëse do të kemi mungesë të investimeve kapitale atëherë lind pyetja se si do të mbështetet sektori privat dhe si do të kemi vende të reja të punës e të tjera”, tha ai.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë euro, me një rritje të vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar. Ky projektbuxhet po kritikohet edhe nga opozita të cilët kanë deklaruar se është buxhet i subvencionimeve dhe jo i investimeve./RTK/