LAJME

Ekspertë amerikan zhvillojnë trajnime mbi përdorimin e inteligjencës artificiale dhe avancimin e proceseve akademike në Universitetin e Prizrenit

Ekspertë amerikan zhvillojnë trajnime mbi përdorimin e inteligjencës artificiale dhe avancimin e proceseve akademike në Universitetin e Prizrenit
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Qershor 2026, 09:50

Gjatë vizitës së tij në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në kuadër të programit Fulbright Specialist, eksperti amerikan Dr. Carl Canlas zhvilloi një sërë trajnimesh dhe aktivitetesh profesionale të fokusuara në përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin e lartë, zhvillimin institucional dhe avancimin e proceseve akademike.

Sipas njoftimit, trajnimet u organizuan për grupe të ndryshme, përfshirë stafin akademik, stafin administrativ dhe studentët, me qëllim të ofrimit të njohurive dhe aftësive praktike për integrimin e teknologjive bashkëkohore në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe administrim universitar.

Siç bëhet e ditur, përmes sesioneve interaktive, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me praktikat më të mira ndërkombëtare për përdorimin etik dhe efektiv të inteligjencës artificiale, si dhe me sfidat dhe mundësitë që kjo teknologji sjell në arsimin e lartë.

“Vizita e Dr. Canlas dhe realizimi i këtyre trajnimeve dëshmojnë përkushtimin e Universitetit ‘Ukshin Hoti’ Prizren për të krijuar mundësi të vazhdueshme të zhvillimit profesional për stafin dhe studentët, duke forcuar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë dhe duke ndjekur trendet më të avancuara në arsimin bashkëkohor” – thuhet në njoftimin e këtij institucioni akademik.

Gjithashtu, bëhet e ditur se një nga rezultatet më të rëndësishme të projektit është hartimi i Rregullores për Përdorimin Etik të Inteligjencës Artificiale në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, e cila sipas njoftimit, synon të ofrojë udhëzime dhe standarde për përdorimin e përgjegjshëm, transparent dhe etik të teknologjive të inteligjencës artificiale në proceset akademike dhe administrative.

“Këto aktivitete u koordinuan nga Prof. ass. dr. Dorinë Rakaj, koordinatore e projektit Fulbright Specialist në Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, e cila udhëhoqi organizimin dhe realizimin e projektit në bashkëpunim me menaxhmentin e universitetit. Universiteti ‘Ukshin Hoti’ Prizren falenderon Ambasadën amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në promovimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimit të njohurive dhe zhvillimit profesional” – thuhet tutje në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika