Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë me vepra se rajoni i përket Procesit të Berlinit dhe jo ëndrrave të Kremlinit. Në një shkrim në Twitter, ai ka thumbuar kryeministrin e Kosovës duke thënë se ka politikanë “që u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë në Veriun e Republikës”.
Ai ka përshëndetur përparimin e idesë së tij për konferencë të nivelit më të lartë, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e planit franko-gjerman mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë ide e mbështeti të enjten presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë në Veriun e Republikës”, ka shkruar Rama në Twitter të enjten, në ditën kur Këshilli Evropian ka nisur diskutimet mbi veriun e Kosovës, pas tensioneve të fundit.





