LAJME

Edhe viktima e tretë nga Kosova konfirmohet në tragjedinë në Vjenë, Kurti shpreh ngushëllime

Edhe viktima e tretë nga Kosova konfirmohet në tragjedinë në Vjenë, Kurti shpreh ngushëllime
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Mars 2026, 08:42

Të martën pas orës 14:00, në Vjenë, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, ku për pasojë kanë humbur jetën disa persona. Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar edhe viktimën e tretë nga aksidenti tragjik. Bëhet fjalë për Istref Zekajn.

Ambasada ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.

Më herët, Ambasada konfirmoi se në rast kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami e Asllan Musliu.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim publik, bëri të ditur se sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada e Kosovës në Vjenë, tre prej viktimave janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës.

“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe,” ka deklaruar Kurti.

Kryeministri gjithashtu theksoi se institucionet e Kosovës janë duke ndjekur nga afër zhvillimet dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën në Vjenë për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme për familjet e viktimave.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika