Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Sipas Supremes nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mosinkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mospasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse Supremja konsideron se nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore.
Prandaj, sipas Gjykatës Supreme, me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 paragrafi 4 i Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut.





