Pas thirrjes nga Franca, Gjermania e Polonia që të bëhet progres drejt heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës, një tjetër sinjal për liberalizim ka ardhur nga Suedia. Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlundin, ka përmendur tetorin si afat kur kjo çështje do të rishikohet.
Westerlund ka thënë të premten se diskutimet për liberalizim po bëhen brenda të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai ka thënë se për shkak të ndryshimeve në ekzekutivin suedez duhet të pritet për disa javë për qëndrimin e këtij shteti.
“Vetëm për katër javë në këtë vend mund të them sa e vështirë është kjo situatë për qytetarët e Kosovës. Kam takuar para disa ditësh sportistë, udhëheqës sportivë, të cilët nuk mund të udhëtojnë jashtë, nuk mund të marrin pjesë në turne, nuk mund t’i sjellin studentët e tyre jashtë për shkak të kësaj çështjeje. Kështu që, kjo është diçka të cilën duhet trajtuar. Ka diskutime që po vazhdojnë lidhur me këtë në Bruksel, brenda të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. E ndiej se ka një momentum të vrullshëm për këtë çështje. Por, duhet ta dini po ashtu se ne kemi pasur zgjedhje vetëm para disa ditësh. Qeveria është dorëhequr dhe kryetari i Kuvendit do ta mandatojë formimin e qeverisë së re, pra ende nuk kemi një qëndrim për këtë. Kështu që duhet të presim edhe për disa javë, por, siç e thashë, kjo është një diçka që duhet të trajtohet dhe është një momentum i përshtatshëm rreth kësaj çështjeje në Bruksel”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV.





