Jo vetëm mungesa e barnave, mbetet problem për Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Kjo klinikë ballafaqohet dhe me mungesë të stafit të nevojshëm shëndetësor, për t’i ofruar shërbimet për pacientët e shumtë, të cilët trajtohen në këtë klinikë. Si në të gjitha klinikat në QKUK edhe Klinika e Onkologjisë, po braktiset nga personeli shëndetësor.
Drejtori i kësaj Klinike Arben Bislimi thotë për “IndeksOnline” se edhe klinika të cilin ai drejton, ballafaqohet me mungesë të stafit. Sipas tij, së fundi nga kjo klinikë është larguar një teknik i radioterapisë dhe tre infermierë të cilët e kanë lëshuar punën kohë më parë, nuk janë zëvendësuar ende dhe se duke pasur parasysh numri e pacientëve të cilët trajtohen, numri i personelit mjekësor, është i pamjaftueshëm.
“E kemi një teknik të radioterapisë, i cili ka shkuar në Gjermani dhe nuk kthehet më. Dhe akoma nuk e kemi mbuluar vendin e tij të punës. Këto defekte këto deficite, i kemi si në repartin e kimios, ashtu dhe të rrezeve. Është një konkurs i hapur dhe po shpresojmë që dy teknikë të radioterapisë, do të na bashkohen në repartin e rrezeve dhe sado pak ta zbusim këtë rrethanë që e kemi, duke e pasur parasysh numrin e pacientëve që e trajtojmë brenda ditës. Defekti është se tre infermier, të cilët kanë lëvizur ndoshta dhe në klinika tjera ose për arsye tjera nuk janë më pjesë e stafit tonë, nuk janë zëvendësuar dhe për atë po kemi mungesë të stafit. Po shpresojmë që menaxhmenti do të na ndihmojë në këtë drejtim, të plotësojmë këtë numër”, tha ai.





