Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Ramadan Morinës, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës në periudhën kohore 29.03.1999 – 31.03.1999.
Vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Morinës për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit R.M. për veprën penale Krime lufte kundër populates civile, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 10.09.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së”- thuhet në përgjigjjen e Gashit të datës 26.09.2025.





