Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha sot se kryeministri i Kosovës Albin Kurti i solli serbët dhe shqiptarët “në cep të luftës” dhe njoftoi se për shkak të kësaj, Beogradi është afër vendimit për të kërkuar kthimin e trupave në Kosovë, sipas saj, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Çdo ditë shkelet jo vetëm marrëveshja e Brukselit por edhe marrëveshja e Kumanovës. Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e vet. Serbët nuk ndihen të sigurt, dhe janë të kërcënuar si fizikisht ashtu edhe për jetën, përfshirë kopshtet e fëmijëve”, tha Bërnabiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Ajo shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës do të prezantojë detaje rreth kësaj, transmeton Klankosova.tv.





