Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave me postë është drejt përfundimit, ndërsa ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime nga disa qendra jashtë vendit. Janë votat e fundit që kanë mbetur pa numëruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po numërohen votat që i përkasin pjesës së dytë të votimit me postë. Sipas tij, këto vota janë tërhequr nga kutitë postare më 2 dhe 5 janar.
“Më 2 janar janë tërhequr 8,180 pako me fletëvotime, ndërsa më 5 janar janë tërhequr 11,867 pako. Pjesa më e madhe e këtyre pakove tashmë janë sjellë në Kosovë dhe i janë nënshtruar procesit të verifikimit. Rreth 16 mijë pako janë aprovuar dhe aktualisht janë në proces numërimi”, ka thënë Elezi në konferencë për media të mërkurën.





