Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), OJQ “EC Ma Ndryshe” ka vijuar aktivitetin pjesëmarrës me banorët e lagjes Bazhdarhane në Prizren, konkretisht në rrugët “Adem Jashari”, “Ahmet Prishtina” dhe zonat përreth.
Sipas EC-it, qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të qytetarëve lidhur me hapësirat publike dhe kushtet e jetesës në lagjen e tyre.
“Gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për mbledhjen e komenteve, sugjerimeve dhe problemeve nga banorët. Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të moshave të ndryshme. Banorët ndanë shqetësimet dhe nevojat që hasin në përditshmërinë e tyre në lagje. ” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ndër çështjet më të theksuara ishin gjendja e dobët e disa rrugëve dhe trotuareve, mungesa e vendparkingjeve për banorët, mungesa e ndriçimit publik në disa zona, si dhe mungesa e qasjes së përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, thuhet se u evidentua nevoja për zgjerimin e trotuareve dhe krijimin e kushteve më të sigurta për lëvizjen e këmbësorëve.
Gjatë bashkëbisedimeve me banorët, EC Ma Ndryshe thotë se u ngritën edhe shqetësime që lidhen me sigurinë publike, përfshirë praninë e kutive elektrike të hapura, si dhe nevojën për rregullimin e shtyllave dhe kabllove elektrike.
Siç bëhet e ditur, banorët kërkuan gjithashtu shtimin e patrullimeve policore në zona ku është raportuar lëvizje me shpejtësi e motocikletave, si dhe ndërhyrje për trajtimin e problemit të qenve endacakë. Njëkohësisht, thuhet se banorët kërkuan mirëmbajtje më të mirë të parqeve dhe hapësirave publike, përfshirë mobilerinë urbane.
EC Ma Ndryshe thekson se të gjitha komentet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do të përcillen tek institucionet përkatëse, me qëllim adresimin e tyre dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e lagjes Bazhdarhane.
“Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.” – thuhet në njoftim.