LAJME

EC Ma Ndryshe vazhdon nismën “Një dëshirë për rrugën time” me banorët e lagjes Arbanë në Prizren

EC Ma Ndryshe vazhdon nismën “Një dëshirë për rrugën time” me banorët e lagjes Arbanë në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Gusht 2026, 07:24

Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), EC Ma Ndryshe ka vazhduar aktivitetet pjesëmarrëse me banorët e lagjes Arbanë në Prizren, duke bashkëbiseduar me qytetarët nga rrugët “Ismet Gashi”, “Afrim Bytyqi”, “Ismail Qemali” dhe zonat përreth.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të banorëve lidhur me hapësirat publike dhe cilësinë e jetesës në lagjen e tyre.

Siç bëhet e ditur, gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për identifikimin e problemeve, propozimeve dhe kërkesave të komunitetit. Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre lidhur me infrastrukturën dhe shërbimet publike.

Sipas EC-it, ndër çështjet më të theksuara nga banorët ishin mungesa e ndriçimit publik në disa rrugë dhe rrugica të lagjes, mungesa e shportave për mbeturina, shtigjeve për biçikleta dhe këndeve të lojërave për fëmijë. Po ashtu, banorët kërkuan krijimin e më shumë hapësirave rekreative, shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara, mbjelljen e pemëve dhe vendosjen e ulëseve publike.

EC Ma Ndryshe njofton se gjatë bashkëbisedimeve u ngritën edhe shqetësime që lidhen me sigurinë në komunikacion dhe infrastrukturën publike. Banorët kërkuan vendosjen e sinjalistikës së duhur rrugore në afërsi të shkollës fillore “Ibrahim Fehmiu”, vendosjen e masave për kufizimin e shpejtësisë së automjeteve në rrugicat e lagjes, si dhe rregullimin dhe sistemimin e kabllove elektrike në disa pjesë të lagjes.

Njëkohësisht, thuhet se u evidentuan vështirësitë që shkakton zaptimi i trotuareve nga automjetet, duke penguar lëvizjen e grave me karroca për fëmijë dhe personave me aftësi të kufizuara. Sipas njoftimit, banorët ngritën gjithashtu shqetësime lidhur me praninë e qenve endacakë dhe kërkuan angazhim institucional për trajtimin e këtij problemi.

“Të gjitha komentet, propozimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim që ato të shqyrtohen dhe të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e hapësirave publike dhe cilësisë së jetesës për banorët e lagjes Arbanë. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika