Muri i ndërtesës me fasadë karakteristike në rrugën “Marin Barleti” në Prizren është shembur, disa muaj pasi që Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët ka adresuar komentin se duhet të merren masa dhe të intervenohet sa më parë nga institucionet përkatëse që të parandalohet ndonjë fatkeqësi, thuhet në një reagim nga OJQ ” Ec Ma Ndryshe”.
Ky komision më 26 shtator 2024 ka qenë në terren, në objektin në ngastrën kadastrale nr.03338-1, ku pas evidentimit në vendin e ngjarjes ka pohuar se pas zhvillimeve të punimeve në ngastrën fqinje për gërmimin e bodrumit ka ardhur deri te dëmtimi i themelit të ndërtesës, e cila ka pësuar zhvendosje dhe për pasojë janë paraqitur plasaritje dhe humbje në stabilitet.Komisioni asokohe ka pohuar se objekti rrezikon të shembet dhe paraqet rrezik permanent për pronarin dhe kalimtarët, të cilët frekuentojnë në perimetër të objektit, dhe ka kërkuar masa e intervenim të menjëhershëm.Pas këtij raporti, me 10 tetor 2024 edhe QRTK-Prizren ka kërkuar nga DES marrjen e masave lidhur me këtë ndërtesë.“Sipas verifikimit në terren, gjatë punimeve në ngastrën e lartpërmendur, përmes gërmimit me ekskavator është dëmtuar ndërtesa fqinje dhe se pas shkaktimit të dëmit të konstatuar, nga inspektorati nuk janë ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse në sigurimin statik dhe parandalimin e shkatërrimit total të ndërtesës dhe rrezikimin e kalimtarëve të rastit.
Andaj, sipas kompetencave dhe përgjegjësive tuaja, kërkojmë që të ndërmerren masat emergjente mbrojtëse për ndërtesën në ngastrën kadastrale P-71813068-03338-1”, thuhet në shkresën e QRTK-Prizren.Pas shembjes së një pjese të ndërtesës gjatë javës së shkuar, QRTK-Prizren më 30 janar 2025, sërish ka dërguar një shkresë në adresë të DES-it, ku thuhet se nuk është ndërmarrë asnjë masë, dhe se pas ndodhisë inspektorët komunal e kanë siguruar hapësirën përmes vendosjes së shiritave për pengimin e qarkullimit të njerëzve në këtë hapësirë.Sipas QRTK-së, hapësira ku ndodhet kjo ndërtesë është brenda Qendrës Historike të Prizrenit, e cila gëzon status të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.





