Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), OJQ “EC Ma Ndryshe” njofton se ka vazhduar aktivitetet pjesëmarrëse me banorët e lagjes Dardani në Prizren, duke bashkëbiseduar me qytetarët nga rrugët “Xhemajl Mustafa”, “Bekim Berisha Abeja”, “Rruste Kabashi”, “Driton Ferati”, “Muhamet Cami”, “Xheladin Gashi”, “Maliq Torbani” dhe zonat përreth. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të banorëve lidhur me hapësirat publike dhe cilësinë e jetesës në lagjen e tyre.
Sipas njoftimit, gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për identifikimin e problemeve, propozimeve dhe kërkesave të komunitetit. Aktiviteti thuhet se u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre lidhur me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
EC Ma Ndryshe thekson se ndër çështjet e ngritura nga banorët ishin problemet me infrastrukturën rrugore dhe për këmbësorë, përfshirë uzurpimin e trotuareve nga automjetet, rrugët e dëmtuara dhe nevojën për një mbikalim ose nënkalim në rrugën kryesore. Po ashtu, thuhet se u kërkua përmirësimi i ndriçimit publik dhe emërtimi i rrugëve në zonat ku mungon.
Siç bëhet e ditur, gjatë bashkëbisedimeve u adresuan edhe probleme me kanalizimin dhe furnizimin me ujë, si dhe nevoja për rishikimin e planit urbanistik në raste të mospërputhjeve të parcelave. Sipas EC-it, banorët kërkuan gjithashtu përmirësimin e kushteve të parkut, përmes vendosjes së shportave për mbeturina, ulëseve dhe hapësirave për lojëra të fëmijëve.
Tutje, bëhet e ditur se ndër problemet e tjera të adresuara ishte edhe prania e qenve endacakë, për të cilën u kërkua angazhim institucional. Banorët thuhet se ngritën shqetësime edhe për gjendjen dhe keqpërdorimin e objektit të ish-shkollës, duke kërkuar masa sigurie dhe shqyrtimin e mundësisë për rikthimin e procesit mësimor në këtë objekt.
EC Ma Ndryshe thekson se të gjitha komentet, propozimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim që ato të shqyrtohen dhe të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e hapësirave publike, infrastrukturës dhe cilësisë së jetesës për banorët e lagjes Dardani.
Sipas njoftimit, ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.