LAJME

EC Ma Ndryshe: Raporti i Auditorit për Prizrenin evidenton nevojën për disiplinë financiare dhe institucionale

EC Ma Ndryshe: Raporti i Auditorit për Prizrenin evidenton nevojën për disiplinë financiare dhe institucionale
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Qershor 2026, 12:56

EC Ma Ndryshe ka shprehur shqetësimin serioz lidhur me gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Prizrenit për vitin 2025, i cili evidenton dobësi të vazhdueshme në menaxhimin e financave publike, prokurimin publik dhe funksionimin e kontrollit të brendshëm institucional.

“Gjetjet e raportit dëshmojnë për probleme të theksuara në planifikimin dhe realizimin e buxhetit komunal, duke përfshirë keqklasifikimin e shpenzimeve në vlerë mbi 2.1 milion euro, mosraportimin korrekt të të hyrave komunale, si dhe mangësi në regjistrimin dhe raportimin e pasurive dhe investimeve kapitale. Po ashtu, raporti evidenton mungesë të dokumentacionit financiar për pagesa të realizuara përmes procedurave përmbarimore, kontraktim të projekteve pa mbulim të mjaftueshëm financiar dhe vonesa të konsiderueshme në pagesat e faturave.” – thuhet në reagim.

Sipas reagimit, shqetësuese mbeten edhe gjetjet që ndërlidhen me menaxhimin e kontratave publike, ku auditimi ka evidentuar mospërputhje ndërmjet planifikimit dhe realizimit të kontratave, tejkalime të kategorive të caktuara të shpenzimeve dhe përdorim jo adekuat të procedurave të prokurimit publik. Këto praktika thuhet se cenojnë transparencën, llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve në menaxhimin e parasë publike, sidomos në një komunë ku investimet publike dhe projektet kapitale kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin urban të qytetit, sipas tyre.

Megjithatë, përkundër shqetësimeve të shumta të evidentuara në raport, EC Ma Ndryshe vlerëson edhe disa zhvillime pozitive. “Menaxhmenti i komunës ka pranuar të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke shprehur gatishmëri për adresimin e tyre. Po ashtu, Kryetari Shaqir Totaj ka nënshkruar letrën e konfirmimit, duke u zotuar për hartimin dhe dorëzimin e një plani veprimi brenda afatit prej 30 ditësh. Njëkohësisht, raporti evidenton se shpenzimet totale kanë arritur në 97% të buxhetit final prej 75.1 milionë eurosh, duke dëshmuar kapacitet të mirë ekzekutues, ndërsa të hyrat nga burimet vetanake kanë arritur në 9.41 milionë euro, duke shënuar rritje krahasuar me vitin 2024.” – thekson kjo organizatë.

Megjithatë, EC Ma Ndryshe konsideron se fakti që një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të auditorit janë të përsëritura nga vitet paraprake dëshmon mungesë të veprimit efektiv institucional për adresimin e problemeve të evidentuara ndër vite. Kjo situatë, sipas tyre, kërkon reagim të menjëhershëm nga ekzekutivi komunal dhe nga Kuvendi Komunal i Prizrenit për të siguruar llogaridhënie, transparencë dhe mbikëqyrje më efektive të shpenzimit të parasë publike.

Prandaj, EC Ma Ndryshe kërkon nga institucionet komunale që të ndërmarrin masa konkrete për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të forcojnë kontrollin e brendshëm financiar, të rrisin transparencën në menaxhimin e kontratave publike dhe investimeve kapitale, si dhe të sigurojnë përgjegjësi institucionale dhe administrative për shkeljet e evidentuara në raport pasi beson se llogaridhënia nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe parakusht thelbësor për ndërtimin dhe ruajtjen e besimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.

Për raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit klikoni linkun: https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2026_f8c0bc99-8032-454f-b500-c9d5ccccf629.pdf 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika