Një vit pasi EC Ma Ndryshe reagoi publikisht për dëmtimin e paneleve informuese në Lokalitetin Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, gjendja në terren, sipas kësaj organizate vazhdon të mbetet e pandryshuar.
EC Ma Ndryshe thekson se panelet e dëmtuara nuk janë riparuar, duke cenuar sipas tyre, funksionin informues dhe edukativ të këtij lokaliteti, si dhe përvojën e qytetarëve dhe vizitorëve.
“Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes është pjesë e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe përfaqëson një hapësirë me vlera të veçanta historike e arkeologjike. Për këtë arsye, mirëmbajtja e tij duhet të jetë e vazhdueshme dhe në përputhje me standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Neglizhimi i elementeve përcjellëse, siç janë panelet informuese, ndikon drejtpërdrejt në interpretimin e lokalitetit dhe në cilësinë e prezantimit të trashëgimisë.” – thuhet në reagim.
EC Ma Ndryshe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin pa vonesë masat e nevojshme për riparimin ose zëvendësimin e paneleve të dëmtuara, si dhe të sigurojnë mirëmbajtje të rregullt të kësaj hapësire publike.
“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi ndaj aseteve publike dhe të shmangin çdo veprim që çon në dëmtimin e tyre. Hapësirat e trashëgimisë kulturore janë pasuri e përbashkët dhe ruajtja e tyre kërkon angazhimin e institucioneve, por edhe ndërgjegjësimin dhe kujdesin e komunitetit.” – thuhet në reagim.
Reagimi i vitit te shkuar nga EC Ma Ndryshe: https://www.facebook.com/profile/100076259550588/search/?q=lokaliteti%20arkeologjik





