LAJME

EC Ma Ndryshe fillon mbledhjen e kërkesave të banorëve të lagjeve të Prizrenit lidhur me nevojat dhe shqetësimet e tyre

EC Ma Ndryshe fillon mbledhjen e kërkesave të banorëve të lagjeve të Prizrenit lidhur me nevojat dhe shqetësimet e tyre
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Mars 2026, 09:13

OJQ “EC Ma Ndryshe” njofton se ka filluar zbatimin e një nisme të re të quajtur “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), e cila tani e tutje do të realizohet në baza të rregullta.

Sipas EC-it, qëllimi i kësaj nisme është që përmes aktiviteteve interaktive me banorët të grumbullohen kërkesat, shqetësimet dhe nevojat reale të komuniteteve në vendbanimet e tyre.

Në hapje të kësaj nisme, aktiviteti u zhvillua me qytetarët e lagjes “Ortakoll” në Prizren, përfshirë rrugët “Ali Hadri”, “Alush Kryeziu” dhe “Bekim Berisha-Abeja”.

Përmes hartës së lagjes dhe metodave interaktive, banorët patën mundësinë të shprehin komentet dhe dëshirat e tyre lidhur me sfidat e përditshme në komunitet.

Në takimet spontane me kalimtarët morën pjesë nxënës, të rinj, gra dhe pensionistë, të cilët evidentuan problemet kryesore.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ndër shqetësimet më të përmendura ishte mungesa e parkingjeve, ndriçimi i pamjaftueshëm publik, nevoja për shtigje të sigurta për biçikleta, vendkalime shtesë për këmbësorët, mbeturinat dhe prania e qenve endacakë.

EC Ma Ndryshe njofton gjithashtu se një nga kërkesat specifike lidhej edhe me nevojën për zëvendësimin e gypave të ujësjellësit nga azbesti në plastikë.

“Të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e mbledhura do t’i dërgohen institucioneve përkatëse, me qëllim adresimin e tyre dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në lagjen ‘Ortakoll’. Kjo nismë synon të forcojë lidhjen mes qytetarëve dhe komunitetit, duke i dhënë zë kërkesave të banorëve dhe duke ndihmuar në ndërtimin e një qyteti më gjithëpërfshirës” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika