Përmes një komunikate, organizata “ Ec Ma Ndryshe” bën të ditur se ka kryer anketa me bizneset që ndodhen në qendër të qytetit të Prizrenit, dhe se pronarët e tyre shprehin pakënaqësi me dinamikën e punimeve në zonën historike.
“Dinamika e punimeve të deritanishme në rivitalizimin e hapësirave publike në zonën e parë historike të Prizrenit përkatësisht sheshin Shadërvan nuk është në nivelin e kënaqshëm, bazuar në rezultatet fillestare të një mini-ankete të realizuar me përfaqësuesit e 33 bizneseve në “Shadërvan” dhe në rrugën “Shaip Spahiu”. Edhe transparenca lidhur me ecurinë e këtyre punimeve është e pamjaftueshme për bizneset e anketuara, teksa aktualisht përballen me efekte negative në veprimtarinë e tyre.
Prej 33 respondentëve, 17 prej atyre kanë bërë të ditur se janë pjesërisht të informuar lidhur me punimet në këtë zonë, derisa 16 të tjerë kanë theksuar se nuk janë të informuar fare.
Bazuar në vëzhgimin e 28 të anketuarve (85%) punimet po realizohen me ndërprerje të pjesërishme, derisa 5 të tjerë (15%) konsiderojnë se puna është ndërprerë në tërësi.
Si sfida më të mëdha të bizneseve janë veçuar pengesat në qarkullim drejt hyrjes së biznesit (94%), menaxhimi jo i duhur i punimeve (85%), ndotja akustike (55%), etj.
Punimet e deritanishme në këtë zonë kanë pasur efekt negativ për operimin e 97% të bizneseve, ndërkohë që 70% të tyre nuk kanë informata se sa do të zgjasin punimet në këtë projekt kapital.
Rekomandimi kryesor i bizneseve për autoritetet e pushtetit lokal është që punimet në këtë zonë të kryhen para sezonit veror, të ketë koordinim më të madh mes punëkryesve, sikurse edhe mbikëqyrje më të madhe nga organet komunale.
Anketat me komunitetin e biznesit në këtë zonë do të vijojnë dhe rezultatet e plota të hulumtimit do të publikohen në javët në vijim.”, thuhet në fund të kësaj komunikate.