Gjykata Kushtetuese e Kosovës i është përgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit e kritikoi institucionin më të lartë të drejtësisë në vend se nuk e ka publikuar aktgjykimin për Ligjin për Pagën Minimale, përkundër se vendimi është marrë para një muaji.
Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Telegrafin, ka thënë se në njoftimet për medie që Gjykata i publikon rregullisht me përmbledhjet e Aktgjykimeve në rastet për të cilat është marrë vendimi.
“Në vërejtjen e shënuar në fund të çdo njoftimi, ndër të tjera, thuhet: ‘Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës’”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Telegrafin.
Më tej Kushtetuesja thotë se “bazuar në rregullat dhe procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës, përkitazi me kohëzgjatjen e procedimit të vendimeve të miratuara nga seanca shqyrtuese deri në përgatitjen e tyre për publikim dhe dërgimin tek palët parashtruese, tekstet finale të vendimeve publikohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Kjo periudhë kohore përfshin, ndër të tjera, (i) në varësi nga përmbajtja, përkatësisht vëllimi i tekstit, përkthimin në gjuhët përkatëse; (ii) përmirësimet tekniko-gjuhësore eventuale; dhe (iii) përgatitja për njoftim të palëve dhe publikim”.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që Aktgjykimet finale të saj t’i publikojë sa më shpejt që është e mundur në kuadër të rregullave të përcaktuara dhe gjithnjë duke u përkujdesur për kualitetin e Aktgjykimeve të publikuara”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për mos publikim të Aktgjykimit për Ligjin për Pagën Minimale, duke thënë se vendimi është marrë nga Gjykata para një muaji, por ende nuk ka publikuar vendimin.
Tutje, ai ka shtuar se “janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre”. /Telegrafi/