Prokuroria Speciale në Prishtinë ka konfirmuar se Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është duke u intervistuar me ftesë të kësaj prokurorie. Rizvanolli po intervistohet në cilësinë e dëshmitares, kanë konfirmuar nga Prokuroria Speciale për gazetën online Reporteri.net.
“Ju informoj se sot, ministrja Artane Rizvanolli, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhet në përgjigjen e tyre për Reporteri.net.
Sipas raportimit intervistimi i saj lidhet me rastin e ish-Kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqin, ndaj të cilit tashmë ka aktakuzë.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi që akuzohet se i ka shkaktuar KEK-ut humbje prej 3.2 milionë eurove.
Krasniqit, i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale në gusht të këtij viti. Dyshimet janë se ai kishte filluar të keqpërdorë detyrën zyrtare ende pa i bërë dy javë nga dita kur ishte emëruar në këtë pozitë e deri ditën kur ishte arrestuar, në prill të vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK’un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.
Aty thuhet se Krasniqi dyshohet se i ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e energjisë në Kosovë, pa pasur e njëjta licencë.
Keqpërdorimin e detyrës dyshohet se ai e kishte filluar ende pa i bërë dy javë nga marrja e detyrës së Kryeshefit. Ai ishte zgjedhur në këtë pozitë me 4 tetor 2021.