G.H, banor i lagjes “Bregu i Diellit” ka treguar se si qentë endacakë ia kanë dëmtuar veturën. Sipas tij, dëmet e veturës janë së paku 1 mijë euro.Ai ka treguar se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:30. Thotë se në atë lagje janë 12 qenë endacakë, të cilët përveç që sulmojnë qentë dhe macet e tjera, i sulmojnë edhe personat që janë duke i shëtitur.
“Mbrëmë rreth orës 22:30, 3 qenë i janë vërsulur makinës time duke e kafshuar dhe grithur me thonjë kariserinë e makinës. Interesant është se ata më dhëmbë e kafshonin sikur të kishin ndonjë copë ashti. Një fqinj kishte dalë që t’i trembte, por nuk largoheshin derisa nuk i goditi me këpucë. Dëmet e automjetit janë minumi rreth 1 mijë euro. Në lagje janë 12 qenë të cilët janë duke sulmuar jo vetëm qentë dhe macet, por edhe personat të cilët janë duke i shëtitur ato”, ka treguar ai për Express.
Ai ka dërguar edhe disa fotografi, ku shihen dëmet që i janë shkaktuar veturës së tij, foto të cilat mund t’i shihni më poshtë.Ndryshe, edhe një tjetër qytetare nga Prishtina është ankuar në një nga grupet në rrjete sociale se qentë endacakë ia kanë shkatërruar veturën, duke publikuar edhe fotografi.Përmes një postimi në grupin Network Prishtina, ajo ka thënë se e ka kuptuar nga policia se ky nuk është rasti i vetëm që qentë endacakë kanë dëmtuar vetura.
“Të enjten në orët e hershme të mëngjesit, diku 8 qenë endacalë më kanë shkatërru kerrin. Ky pra është vendi ku jetojmë, kjo është komuna që na udhëheq. Dështim total në të gjitha nivelet! Edhe sa viktima duhet t’i kemi që t’merren masa?! Edhe sa dëme duhet me ndodh që të merren masa?!”, ka shkruar ajo.