Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të dielën, më 23 gusht, në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i ngrohtë, pa reshje.
Temperaturat do të shënojnë një rënie të lehtë krahasuar me ditën e shtunë. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 16°C, ndërsa maksimalet pritet të arrijnë nga 29 deri në 34°C.
Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 4 m/s.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë më të favorshme se të shtunën, megjithatë gjatë mesditës do të mbetet e pranishme ngarkesa termike e shtuar.
Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta pritet të favorizojnë humbjen e lagështisë nga toka, ndaj rekomandohet monitorimi i nevojës për ujitje.
Ndërkohë, indeksi UV do të jetë i lartë, ndaj qytetarët këshillohen të kenë kujdes nga ekspozimi i zgjatur në diell, veçanërisht gjatë orëve me intensitet më të lartë.