Palestinezët në Gaza janë duke shënuar Fitër Bajramin teksa ofensiva e Izraelit kundër Hamasit po vazhdon fuqishëm.
“Nuk ka ëmbëlsira as kënaqësi, vetëm dhimbje”, ka thënë një familje në Rafah për BBC-në teksa ka shënuar ditën festive “pa asnjë gjë bazike”.
11-vjeçarja Sarah Amer, në një rrëfim emocionues ka kujtuar lojën në park gjatë Bajramit të vitit të shkuar.
“Tani gjithçka ka ndryshuar dhe nuk po e ndjejmë atmosferën festive aspak. As Bajrami s’ka ardhur fare. Nuk ka Bajram, ka njerëz të vdekur, të plagosur e lënduar. Kjo është festë e luftës, andaj si mund të bashkohemi e të festojmë kur ka njerëz që po vriten, burgosen e plagosen?”
Edhe Tala Abu Amrit, 7-vjeçare, i mungon lumturia.
“Nuk ka Bajram as Ramazan. Na mungon atmosfera festive e Bajramit dhe nuk po ndihemi të gjallë”, ka thënë ajo.
Presioni ndërkombëtar është duke u rritur mbi Izraelin që ka vazhduar ofensivën ushtarake që prej 7 tetorit kur Hamasi vrau mbi 1200 izraelitë në sulme të papritura. Që nga ajo kohë, Izraeli ka vrarë mbi 33 mijë palestinezë e si pasojë e ofensivës janë zhvendosur palestinezët që janë grumbulluar në qytetin Rafah. Aty janë mbi 1.5 milionë palestinezë, e shumë prej tyre po vuajnë për ushqim e gjëra bazike.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të martën ka akuzuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, se po e menaxhon gabimisht situatën në Gazë.