Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) i është kthyer sërish punës të hënën pasdite, pak orë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i miratoi si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Po ashtu, me rekomandim të QNR-së, Komisioni Qendor Zgjedhor (KQZ) miratoi kërkesën për rinumërimin e votave të shtatë vendvotimeve, të cilat janë numëruar nga persona të dyshuar për përfshirje në manipulim.
Florentina Gjergjaj, kandidate për deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka fituar njërën nga betejat e saj të para që nga përfshirja në politikë. PZAP-ja ka dërguar në rinumërim të gjitha votat me kusht dhe ato me postë të AAK-së, pasi Gjergjaj pretendon se gjatë numërimit të këtyre votave ka ndodhur parregullsi, që i kanë kushtuar asaj me humbjen e postit të deputetes.





