Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve të paregjistruara dhe motoçikletave i kanë lënë kundërvajtësit të largohen duke mos i ndërmarrë masat përkatëse ligjore.
Ky rekomandim i IPK-së njoftohet se është bërë nën dyshimin se veprimet e të dyshuarve përbëjnë elemente të veprës penale “marrje të ryshfetit”, e cila është e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rekomandimi për suspendim të përkohshëm të zyrtarëve policorë është ndërmarrë me qëllim të mos ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.
“Hetuesit e IPK-së ditë më parë kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me veprimet/reagimet policore ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarë policorë. Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Alfa në Prizren. Zyrtarët policorë kanë ndaluar automjete të paregjistruara dhe motoçikleta që qarkullonin në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke iniciuar fillimisht procedurat përkatëse policore,.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK bën të ditur se sipas gjetjeve fillestare të hetimit dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet e tyre ligjore dhe zyrtare, duke mos vazhduar me procedurat e parapara dhe duke lejuar personat/kundërvajtësit të largohen pa i ndërmarrë masat përkatëse ligjore.
Me qëllim që për këtë rast të sqarohen plotësisht të gjitha rrethanat dhe veprimet e zyrtarëve policorë të përfshirë, IPK njofton se hetimet janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Hetimeve në IPK në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.