Home LAJME Dyqanet në veri të Kosovës pa produkte të Serbisë

Dyqanet në veri të Kosovës pa produkte të Serbisë

0
Dyqanet në veri të Kosovës pa produkte të Serbisë

Për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia. Mungesë e këtyre produkteve vërehet edhe në komunat tjera të Kosovës.

Këtë e dëshmojnë për Radion Evropa e Lirë qytetarët dhe afaristët, ndërkaq kjo mund të konstatohet edhe nga raftet e dyqaneve, ku janë të renditura kryesisht produkte nga vendet e rajonit.

Njëri nga afaristët nga Mitrovica e Veriut, i cili këmbënguli të mbetet anonim, shpjegon se qumështi “Imlek” nga Serbia është zëvendësuar me “Bimilk” nga Maqedonia e Veriut dhe në vend të ushqimit të ngrirë “Frikom”, po ashtu nga Serbia, në ofertë është “Ledo” nga Kroacia.

“Na u desh të riorientoheshim dhe të blinim mallra që janë në dispozicion me shumicë. Po gjendemi ashtu siç na imponohet. ‘Bimlek’ nga Manastiri (nga Maqedonia e Veriut) është i njëjtë me ‘Imlek’ (nga Serbia), ndërsa produktet ‘Swissllion’ nga Serbia i zëvendësojmë me të njëjtat produkte që vijnë nga Maqedonia e Veriut”, thotë ky biznesmen.

“Bimilk” është pjesë e kompanisë rajonale “Imlek” me seli në Serbi, e cila operon edhe në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Ky vendim pasoi arrestimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, për të cilët autoritetet në Prishtinë thanë se u “rrëmbyen”. Siç ishte paralajmëruar, një vendim i tillë është marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike dhe nuk dihet se sa do të qëndrojë në fuqi.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës marrin vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia apo vendosjen e taksave për to, por deri më tani janë përdorur të ashtuquajturat “rrugë alternative” në veri të Kosovës për import.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar disa aksione kundër kontrabandës me mallra, ndërsa “rrugët alternative” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë nën kontroll të rreptë të Policisë së Kosovës.

Rasti i fundit ishte javën e kaluar në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte një shtetas serb.

“Gjatë kontrollimit në automjet janë vërejtur pije alkoolike (verë) rreth 100 litra, si dhe pemë e perime”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovë të datës 26 korrik.

Automjeti me ngarkesën është dërguar në terminalin doganor./REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here