LAJME

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës përfundojnë me sukses programin ndërkombëtar në Universitetin Policor të Brandenburgut

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës përfundojnë me sukses programin ndërkombëtar në Universitetin Policor të Brandenburgut
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Gusht 2026, 22:38

Dy zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin ndërkombëtar të Internshipit dhe shkëmbimit të përvojave policore në Universitetin Policor të Brandenburgut në Gjermani.

Programi është zhvilluar nga 3 deri më 7 gusht 2026, me pjesëmarrjen e zyrtarëve policorë nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë programit, pjesëmarrësit kanë zhvilluar aktivitete të përbashkëta profesionale dhe taktiko-operative, përfshirë ushtrime për arrestime dhe kontrolle të objekteve, trajtimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe vizita në njësi të ndryshme të Policisë Gjermane, përfshirë policinë ujore dhe njësitë e specializuara.

Në kuadër të programit janë zhvilluar edhe vizita në Berlin dhe në Bundestagun Gjerman, ndërsa shkëmbimi i përvojave me kolegë nga vende të ndryshme ka krijuar mundësi për krahasimin e praktikave dhe standardeve bashkëkohore policore.

Sipas njoftimit, gjatë ushtrimeve praktike për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, qasjet dhe metodat e prezantuara nga zyrtarët e Policisë së Kosovës janë vlerësuar pozitivisht dhe kanë qenë pjesë e shkëmbimit profesional me pjesëmarrësit ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja në këtë program, sipas Policisë së Kosovës, kontribuon në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në avancimin e mëtejshëm të profesionalizmit dhe praktikave policore në vend.

Programi ndërkombëtar vlerësohet gjithashtu si një mundësi për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Universitetit Policor të Brandenburgut, përmes trajnimeve praktike, programeve të internshipit dhe shkëmbimit të përvojave.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika