Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas aksidentit të fundit në Minierën me Flotacion të Trepçës, ku dy punëtorë u lënduan. Ata kanë theksuar se kushtet e punës në minierë janë jashtë çdo standardi dhe se nuk përmbushin as kërkesat minimale të sigurisë.
Sindikata ka publikuar një deklaratë për mediat, duke e cilësuar situatën në minierë si alarmante dhe të papranueshme.
“Situata në minierë ka arritur në një pikë ku nuk mund të heshtet më. Përveç rrezikut të përditshëm që sjell profesioni ynë, ne po punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë. Trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, edhe pse me ligj duhet të mbahen rregullisht për çdo punëtor.”
Në vazhdim, sindikata theksoi se incidentet dhe lëndimet janë të përditshme në minierë, duke krijuar një atmosferë të rrezikshme për punëtorët.
“Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë.”
Një nga shkaqet kryesore të këtyre aksidenteve është përdorimi i pajisjeve të vjetruara, të cilat, sipas sindikatës, përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona.”
Sindikata theksoi gjithashtu se investimet në infrastrukturë dhe siguri nuk janë një kërkesë e tepërt, por një domosdoshmëri për funksionimin e mëtejshëm të minierës.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Investimet në Trepçë nuk janë dëshirë, janë domosdoshmëri.”
Në fund, sindikata i bëri thirrje qeverisë së ardhshme që të fokusojë më shumë vëmendje në përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në miniera, duke kërkuar një plan afatgjatë dhe investime të drejtpërdrejta.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së re, kujtdo që do të marrë përgjegjësinë pas zgjedhjeve, të kthejë vëmendjen kah minierat. Duhet një plan i qartë, serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë, sepse pa minatorët nuk ka prodhim, e pa prodhim nuk ka Trepçë. Po ashtu, kërkojmë nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnimet e sigurisë dhe të ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse pa asnjë vonesë. Kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme. Minatorët nuk mund të presin më.”, thuhet në njoftim.
