Policia e Kosovës ka kryer bastisje sot në dy lokacione në Zubin Potok.Kështu ka bërë të ditur për Dukagjinin zëvendësdrejtori për veriun, Veton Elshani, i cili ka deklaruar se një person është duke u intervistuar si i dyshuar dhe një tjetër pritet të intervistohet.
Tutje, Elshani ka bërë të ditur se gjatë aksioneve janë konfiskuar pajisje të policisë, si uniformë, jelek antiplumb, radiolidhje dhe një pushkë gjuetie.
“Kemi bërë dy bastisje në Zubin Potok, njëra në Varagë. Kemi konfiskuar një uniformë ushtarake, pushkë gjuetie e jelek antiplumb. Tashmë një person tani është duke u intervistuar e më pas do ta intervistojmë edhe një tjetër. Personat po intervistohen nën dyshimin e përvetësimit të detyrës”, tha Elshani.
Vlen të përmendet se herë pas here Policia e Kosovës po zhvillon aksione të ndryshme në vendet veriore të vendit. Ndërsa më 29 nëntor ka ndodhur një sulm terrorist në Varagë të Zubin Potokut, ku është dëmtuar infrastruktura kritike e Kosovës.
Ndryshe, autoritetet kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, duke përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës, njoftoi të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.
“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste, synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.
Të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan, tha Sveçla.
Autoritetet e sigurisë së Kosovës, duke përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, tha Sveçla.