Që gjashtë muaj, duhanpirësit, para se të tymosin përballen me imazhe aspak të këndshme në paketën e cigareve, duke u kujtuar se duhani dëmton seriozisht shëndetin.
Por, duket se këto paketime nuk po luajnë asnjë rol të rëndësishëm në vetëdijesimin e duhanpirësve. Edhe pse pamjet e trishtueshme të sëmundjeve të shkaktuara nga duhani janë të dukshme në paketat e cigareve, qytetarët e Kosovës vazhdojnë njëjtë ta konsumojnë këtë produkt, raporton Arbresh.info.
Në një bisedë për Arbresh.info, një shitës cigaresh, duke dashur të mbetet diskret, për redaksinë tonë, tregon se fotografitë asgjë nuk kanë ndryshuar.
Sipas tij, personat që kanë pirë cigare vazhdojnë të pijë.
“Jo, asgjë nuk ka ndikuar, cigaret shiten po ashtu si më parë, ai që ka pirë vazhdon të pijë, pavarësisht nëse ka foto ose jo. Ministria e Shëndetësisë ka menduar se kjo do t’i ndihmojë qytetarët të lënë duhanin, por fotografia nuk ka ndikuar fare. Disa gërditen nga ato foto të shëmtuara, por përkundrazi, ata vazhdojnë të pinë. Çdo paketë cigareje ka këto fotografi, dhe të gjitha kompanitë e shesin kështu. Unë shes cigare për rreth 10 vjet. Ky udhëzim administrativ nuk ka ndikuar aspak në rënien e biznesit tim dhe nuk kam vënë re asnjë ndryshim. Si shiteshin më parë, po ashtu shiten dhe tani. Klientët më të shpeshtë janë ata të moshës 30-50 vjeç, të cilët konsumojnë më shumë”, thotë ai.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik(IKSHPK), pretendon se këto paketime kanë pasur efekt, , së paku në ndërgjegjësimin e popullatës, për njohjen e rreziqeve që ka për shëndetin përdorimi i duhanit
Sipas IKSHPK-së, periudha gjashtëmujore është e vogël për të parë rezultatet.
“Udhëzimi Administrativ për vërejtjet e kombinuara shëndetësore ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori 2024. Domethënë, ka 6 muaj e tre javë që është në zbatim. Dhe, nga reagimet e para, shihet që ka pasur efekte, së paku në ndërgjegjësimin e popullatës, me theks te të rinjtë, për njohjen e rreziqeve të drejtpërdrejta që ka për shëndetin përdorimi i duhanit dhe produkteve të tij. Normalisht, 6 muaj është një periudhë ende e hershme për të vlerësuar ndikimin”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për Arbresh.info.
Ndryshe, më 25 prill të vitit 2024 është nënshkruar Udhëzimi Administrativ që përcakton rregullat për vendosjen e fotografive apo ilustrimeve të tjera dhe tekstit – mesazhit informues për efektet negative të duhanit, në paketimet e produkteve të duhanit dhe të ndërlidhura me duhanin.
Ky udhëzim derivon nga Ligji për Kontrollin e Duhanit, dhe u nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë.
Ky ligj, hyri në fuqi më 1 shtator 2024. /Arbresh.info/Edona Krasniqi/