E shoqëruar nga prindërit, familjarët e miqtë e saj, Dua Lipa është pritur të premten nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
E vlerësuar për modestinë e saj, e mbi të gjitha për krenarinë e të qenit shqiptare, Dua Lipa ka krijuar një lidhje të veçantë me Tiranën. Pos kopshtit të rindërtuar për fëmijë që do të mbajë emrin e fondacionit të saj “Sunny Hill”, fituesja e çmimeve të shumta ndërkombëtare ka paralajmëruar një projekt muzikor në Tiranë gjatë vitit të ardhshëm.
Fituesja e shumëfishtë e çmimeve “Brit Awards” dhe “Grammy”, Dua Lipa, mund ta konsiderojë veten si banorja më e privilegjuar e Tiranës. Këngëtarja shqiptare që jeton dhe vepron në Britani, po e lë aty gjurmën e saj me ndërtimin e kopshtit për fëmijë “Sunny Hill Kindergarten”. Me rastin e qëndrimit të saj në Shqipëri, ylli i muzikës botërore e ka mësyrë të premten Tiranën në atë që është quajtur si rikthim i saj në kryeqytetin shqiptar.
E shoqëruar nga prindërit e saj, Dukagjin dhe Anesa Lipa, motra Rina dhe vëllai Gjini, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid, Lipa është takuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Edhe një “xhinxhife”, kapelë tradicionale e grave tiranase, i është dhuruar Dua Lipës nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Një shqiptare e mirë me zemër të madhe”
Në takimin e mbajtur në mjediset e Bashkisë – që është transmetuar edhe nëpërmjet një videoje në mediat sociale – Veliaj ka falënderuar këngëtaren 25-vjeçare për ndihmën e saj në rindërtimin e Kopshtit 42, i cili ishte dëmtuar nga tërmeti i para dy vjetëve.
“Një yll që rrezaton fort në qiellin e muzikës botërore, por një shqiptare e mirë, bujare dhe me zemër të madhe”, ka thënë Veliaj.
Në mënyrë simbolike, ai i ka dhuruar Lipës një targë të personalizuar “Dua 100 TR”, për të cilën ka thënë me humor se është “një mënyrë për ta hapur rrugën më lehtë në çdo postbllok e semafor”.
Edhe një “xhinxhife”, kapelë tradicionale e grave tiranase, i është dhuruar asaj tok me diskun muzikor me xhevahire të këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme “Tirana 100” që ishte realizuar me rastin e përvjetorit njëshekullor të shpalljes së saj kryeqytet.
Kurse këngëtarja Dua Lipa e ka reciprokuar nderin përmes një dhurate simbolike të një ekzamplari të albumit të saj të fundit “Future Nostalgia” të cilin e ka nënshkruar me dedikim për Veliajn.
Ndryshe, ky album, si i dyti në karrierën e këngëtares së njohur, që prej realizimit më 27 mars të vitit të kaluar, ka shënuar suksese marramendëse duke kryesuar top-listat në dhjetëra vende gjithandej botës. Në ceremoninë e 63-të të “Grammy Awards”, “Future Nostalgia” qe nominuar për albumin e vitit, por fitoi çmimin për “Best Pop Vocal Album”.
Lipa: Jam krenare që jam shqiptare
Ylli botëror i muzikës ka vizituar kantierin e punimeve në Kopshtin 42 në Tiranë, i cili do të mbajë emrin e fondacionit “Sunny Hill”
E Lipa si “gocë tironse” nuk i ka përfunduar me kaq dhuratat nga takëmi i saj: Veliaj ka paralajmëruar se ajo do të ketë në kryeqytet një projekt të ri muzikor gjatë vitit të ardhshëm, që përkon edhe me Tiranën si “kryeqytet evropian i Rinisë”.
Duke vënë në kokë helmetën dhe mantelin e gjelbër të inxhinieres, ylli botëror i muzikës ka vizituar kantierin e punimeve në Kopshtin 42, i cili do të mbajë emrin e fondacionit “Sunny Hill”.
E shoqëruar në vizitë nga kryetari Veliaj, këngëtares i është shpalosur plani i punimeve për këtë kopsht, i cili që nga 15 shtatori do të mirëpresë 300 vocërrakë në zemër të Tiranës.
“Ju lumshin durt për krejt punën që e keni bo. Kopshti ka me kan’ shumë i bukur dhe po ndihna shumë krenare që mundem me marrë pjesë si ‘Sunny Hill Foundation’ për këtë kopsht. Shpresoj të shohim ma shumë këso sene të mira për vendin tonë. Jam shumë krenare që jam shqiptare”, ka thënë Lipa gjatë vizitës, fjalë që më pas janë duartrokitur nxehtësisht nga të pranishmit.
Lajmit i ka bërë jehonë edhe vetë këngëtarja e cila ka bashkëndarë në llogarinë e saj një njoftim në gjuhën angleze, ku ka bërë me dije se “Sunny Hill Kindergarten” do të hapet në shtator. Ajo e ka vlerësuar si nder vizitën në Tiranë për t’i parë nga afër punimet e ndërtimit të këtij kopshti.
“Pas tërmetit më 2019 dhe me ndihmën e të gjithë juve që bletë bluzat tona ‘Pray for Albania’ që e krijova me miqtë e mi, unë dyfishova fondet që mblodhëm dhe ato para do të shkojnë për mobilimin e gjithë këtij kopshti për 300 fëmijë”, ka shkruar Lipa teksa ka falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe bashkiakun Erion Veliaj për ndihmën e dhënë në këtë proces.
“Çfarë çike”
E vizita në Tiranë ka pasur edhe një tjetër takim të rëndësishëm për këngëtaren e lindur para 25 vjetësh në Prishtinë. Kryeministri Edi Rama, në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ka afishuar një fotografi me Duan. Sipas tij, ajo ka kapur qiellin e botës muzikore dhe nuk ka nevojë për asnjë koment.
“Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, ka shkruar Rama në postimin e tij.
Ndryshe, Dua Lipa kishte qenë një nga emrat kryesorë që kishin ngarendur për të ndihmuar Shqipërinë që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Duke iu bërë thirrje adhuruesve të saj për donacione e mbështetje për viktimat, me qëllim të mbledhjes së fondeve, ajo bashkërealizoi një edicion të kufizuar bluzash me mbishkrimin “Pray for Albania” në bashkëpunim me dizajnerë shqiptarë.
Ndërkaq vitin e kaluar, Dua Lipa kishte nisur në adresë të “Apple Maps” kërkesën që ky aplikacion të shfaqte Kosovën me kufijtë e saj ndërkombëtarë, e jo si pjesë të Serbisë. Nisma, më pas, ishte përkrahur edhe nga këngëtarja tjetër e njohur, Rita Ora.