LAJME

DRP në Prizren prezanton raportin e 6-mujorit të fundit: Evidentohet ngritje në numrin e veprave penale, por edhe përmirësim i efikasitetit në zbulueshmëri

DRP në Prizren prezanton raportin e 6-mujorit të fundit: Evidentohet ngritje në numrin e veprave penale, por edhe përmirësim i efikasitetit në zbulueshmëri
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Korrik 2026, 12:30

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, të hënën ka prezantuar raportin gjashtëmujor të punës për gjysmën e parë të vitit 2026, që mbulon periudhën kohore nga 1 janar deri më 30 qershor 2026.

Sipas njoftimit, takimi u zhvillua nën udhëheqjen e drejtorit rajonal, kolonel Faton Alija, në prani të zëvendësdrejtorit, nënkolonel Lulzim Shala, si dhe eprorëve rajonalë të stacioneve dhe njësive policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.

Takimin e hapi drejtori Alija, i cili prezantoi objektivat strategjike të gjashtëmujorit, duke theksuar:

  • ofrimin e sigurisë publike dhe forcimin e bashkëpunimit me qytetarët dhe forumet e sigurisë,
  • zbatimin e Strategjisë së integruar të Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi 2026–2030,
  • rritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve,
  • parandalimin dhe ndriçimin e veprave penale, me fokus të veçantë në luftimin e dhunës në familje,
  • si dhe objektiva të tjera të rëndësishme për sigurinë e përgjithshme.

Sipas njoftimit, fillimisht u prezantuan rezultatet dhe të arriturat për tërë rajonin, si dhe ngecjet e evidentuara, ndërsa më pas secili stacion dhe njësi policore paraqiti raportin gjashtëmujor përkatës.

“Në raport u theksua se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë shënuar disa të arritura dhe rezultate pozitive, por gjithsesi në disa fusha ka nevojë për përmirësime. Krahasuar me vitin 2025, është evidentuar një ngritje prej 7.9% e numrit të veprave penale, por njëkohësisht është shënuar rritje e zbulueshmërisë nga 67.4% në 69.3%. Policia e Prizrenit ka realizuar gjithsej 385 operacione policore dhe ka sekuestruar 50 armë, duke shënuar një ulje prej 19.4% krahasuar me vitin paraprak – një trend që mund të konsiderohet pozitiv.” – thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, rezultatet e arritura përfshijnë:

  • ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike,
  • sigurinë në shkolla,
  • menaxhimin e komunikacionit dhe parandalimin e aksidenteve,
  • menaxhimin e situatave emergjente.

Gjithashtu, siç njofton DRP, është theksuar se ka pasur një ngritje të zbulueshmërisë së veprave penale dhe incidenteve, duke arritur në 79.4% në vitin 2026, krahasuar me 77.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 – një rritje pozitive që sipas tyre, dëshmon përmirësim të efikasitetit.

“Në raport u përmend se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 në rajonin e Prizrenit janë regjistruar tre raste vrasjesh, por kryesit janë arrestuar dhe dorëzuar organeve të drejtësisë. Me rëndësi të veçantë u theksua fakti se në rajonin e Prizrenit prej vitesh nuk ka pasur asnjë rast vrasjeje me kryes të pazbuluar, duke dëshmuar efikasitetin e Policisë në ndriçimin e rasteve të rënda.” – përfundon njoftimi.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika