Dronë e antidronë, helikopterë e municione, ngritje kazermash e “mbrojtje të mençur”, trajnime, digjitalizim e Vetting. Kush më shumë e kush më pak, secila prej partive dhe secili koalicion që garon në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, premton investime në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar më 11.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje e cila po synon të fitoj zgjedhjet dhe ta mbaj pushtetin edhe për një mandat katërvjecar, ka premtuar për Policinë dhe institucionet e sigurisë pajisje të specializuara dhe bashkëkohore, armatim adekuat si dhe shkollim dhe trajnim të duhur.“Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë, duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit si dhe rritjen e sigurisë publike në përgjithësi” – thuhet në programin e kësaj partie.
Kufijtë, sipas LVV-së, do të jenë të sigurt dhe do të menaxhohen me teknologjitë më të avancuara. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit thuhet se do të modernizohet për të garantuar siguri dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve e për të parandaluar aktivitetet kriminale.Për t’i përmbushur objektivat në këtë sektor, LVV premton një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh në katër vitet e ardhshme për ushtrinë.Kjo parti zotohet edhe për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës.Dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’ janë premtim tjetër i LVV-së.1 mijë gra e vajza synohen që të rekrutohen si ushtarake.
Një njësi e përbashkët me Forcat Ushtarake të Shqipërisë është synim tjetër i kësaj partie, e cila po ashtu synon fuqizimin e ushtrisë me blerje të armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me vendet partnere.Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse sipas tyre do të zbatohet në tërë vendin si dhe rezervistët do të kenë armatim dhe trajnim adekuat në rast të mobilizimit.Zotimet për digjitalizim të sektorit të sigurisëPartia Demokratike e Kosovës, e cila në këto zgjedhje garon me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, premton një kornizë gjithëpërfshirëse sigurie që integron mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike dhe parimet e sigurisë njerëzore.“Duke përqafuar teknologjitë më të fundit dhe strategjitë vizionare, ne do t’i adresojmë kërcënimet dhe sfidat e reja me masa inovative dhe adaptive që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Do ta digjitalizojmë mbarë sektorin e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale për t’i rritur kapacitetet për vlerësimin e kërcënimeve në kohë reale dhe planifikimin efikas” – thuhet mes tjerash në programin zgjedhor të kësaj partie.Për planet e PDK-së për investime në Siguri dhe Mbrojtje, ka folur në “Debat Përnime”, Besa Kabashi-Ramaj.
“Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n”, ka thënë ajo.Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi- Ramaj, ka thënë se PDK parasheh edhe ngritjen e Njësitin e Helikopterëve.PDK po ashtu premton investime dhe modernizime në infrastrukturën ushtarake si dhe ngritjen e gardës kombëtare me strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.“Garda Kombëtare do të rritë gatishmërinë civile të Kosovës, duke bashkuar sektorët ushtarakë dhe civilë për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të jashtme dhe emergjencave të brendshme” – thuhet tutje në këtë program.Sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësve, është zotimi tjetër i dhënë nga PDK.