Ish-zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, i cili mbeti jashtë strukturave udhëheqësve të LDK-së me kryetarin e ri, Lumir Abdixhikun, ka nisur kritikat për këtë të fundit, raporton Gazeta Express.
Selmanaj ka thënë se sjellja e Abdixhikut për t’u takuar veçmas me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i bën dëm LDK-së.
“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Ai ka thënë se LDK-ja rrëzohet edhe më shumë me këto veprime, që sipas tij ia humbin dinjitetin edhe atyre që në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan për këtë parti.
““Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj. LDK✌️”, ka shkruar Selmanaj.
Abdixhiku u takua të premten me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja, përfshirë zgjidhjen e çështjes së presidentit. Pas takimit ai tha se do të kërkojë takim vetëm me Osmanin.
Për këtë, Abdixhiku dje mori edhe miratimin e anëtarëve të Kryesisë së re të partisë, jashtë së cilës e la Driton Selmanajn. Abdixhiku tha se do të jetë në diskrecion të Osmanit që ta caktojë kohën dhe vendin e takimit, derisa theksoi se nuk duan presidente njëpartiake. /Express/