Deri në fund të kampionatit elitar të futbollit të Kosovës kanë mbetur edhe shumë xhiro për t’u luajtur. Por diferenca që Drita ka krijuar me ndjekësit në garën për titull ka nisur të rritet që tani.
Dallimi në pikë mund të rritet edhe më shumë pas gabimit që Ballkani e bëri të premten në ndeshjen e parë të xhiros së 21-të të Superligës. Ballkani në Suharekë barazoi 1:1 me Feronikelin 74, skuadrën e fundit në tabelë. Kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë zë vendin e dytë me 37 pikë, ndërsa skuadra nga Drenasi në pozitën e fundit ka 11 pikë.
Një fitore e mundshme e Dritës të shtunën ndaj Suharekës, do të bënte që dallimi me Ballkanin të jetë dhjetë pikë. Ndeshja Drita – Suhareka luhet në Gjilan nga ora 13:00.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, nuk dëshiron të mendojë për titull në këtë fazë të kampionatit. Por, ka disa kërkesa për lojtarët.
“Në 16 xhirot e ardhshme ne mundohemi ta menaxhojmë ekipin, ta mbajmë ekipin në formë, të motivuar, pa presion, duke dhënë maksimumin në çdo stërvitje, me përqendrim maksimal. Eksperienca në klub dhe mbështetja e drejtuesve është e jashtëzakonshme për ne si staf teknik, por edhe për futbollistët”, ka thënë Ramadani të premten në konferencën për shtyp, duke shtuar se objektivi mbetet fitorja.
“Nuk do të jetë aspak e lehtë. Suhareka ka ekip mjaft cilësor. Komoditet nuk ka asnjëherë, por jemi të qetë që me punë, ambicie e vetëbesim, të arrijmë objektivin në çdo ndeshje”.
Drita humbjen e fundit e ka pësuar në derbin me Gjilanin më 15 dhjetor, ndërsa në stinorin pranveror ka shënuar fitore ndaj Malishevës në Superligë dhe ndaj Dukagjinit në Kupë pas penalltive. Barazoi në xhiron e kaluar me Prishtinën.
Suhareka e trajnerit Qëndrim Kida është pa fitore prej mesit të muajit dhjetor. Në këtë vit ka barazim në Superligë me Prishtinën, humbje në Kupë nga “bardhekaltrit” dhe disfatë tjetër në elitë nga Dukagjini.
Suhareka është në vendin e gjashtë me 26 pikë.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, duke e ditur që skuadra e Dritës ka lojtarë shumë cilësorë dhe është lidere e tabelës. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Pres nga të gjithë lojtarët që ta japim më të mirën dhe shpresoj që në fund të shpërblehemi me rezultat pozitiv”, ka thënë për KOHËN golashënuesi më i mirë i Superligës, Mevlan Zeka. Zeka i Suharekës ka 13 gola, katër më shumë se Albert Dabiqaj e Senad Jaroviq.
Të shtunën luhet edhe ndeshja mes Llapit dhe Malishevës, ndërsa xhiroja mbyllet të dielën me duelet Dukagjini – Gjilani dhe Ferizaj – Prishtina.
Superliga – XVIII
Ballkani – Feronikeli 74 1:1
E shtunë (13:00)
Drita – Suhareka
Llapi – Malisheva
E diel (13:00)
Dukagjini – Gjilani
Ferizaj – Prishtina