Drejtoria Komunale e Shëndetësisë, në bashkëpunim me QKMF-në në Prizren, ka njoftuar se implementimi i zgjerimit të projektit të kujdesit shtëpiak për qytetarët ka filluar.
Deri më tani, nga kjo drejtori janë realizuar vizitat shtëpiake në kuadër të Shërbimit Paliativ për personat në fazën terminale të sëmundjes së tyre dhe në kuadër të Shërbimit Geriatrik, për të moshuarit të cilët nuk kanë përkujdesje.
Sipas njoftimit nga drejtoria përkatëse, tani e tutje planifikohet zgjerimi i ofrimit të shërbimeve në shtëpi nga mjeku familjar për qytetarët e komunës së Prizrenit edhe për kategori të tjera.
“Ky shërbim, tani e tutje do të ofrohet edhe për personat e pa lëvizshëm si shkak i kushteve psiko-fizike si dhe për personat me sëmundje kronike të cilët kanë vështirësi në qasjen e shërbimeve shëndetësore. Në kuadër të shërbimeve që do të ofrohen, përfshihen këto shërbime: kontrolle rutinore, dhënie të terapisë, marrja e mostrave për analiza, këshilla profesionale mjekësore”, thuhet tutje në njoftimin nga Drejtoria e Shëndetësisë.