Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, thotë se gjendja me pacientët e prekur me coronavirus, është në kontroll të plotë.
Ai thotë se “s’ka pacient që nuk është duke e marrë trajtimin adekuat”. Për oksigjen, Maliqi, në intervistë Radion Evropa e Lirë, thekson se nevojat janë të mëdha, konsumi është i madh dhe duhet të racionalizohet.
Ka një rritje të dukshme të infektimit të qytetarëve me koronavirus. Me çfarë sfida po ballafaqoheni aktualisht?
Maliqi: Siç e dini, tërë rajoni, Evropa, është një rritje të numrit enorm të rasteve me infeksion, por fatmirësisht ne ende qëndrojmë shumë më mirë se shtetet për rreth. Kjo është një sfidë jo vetëm për ne, por për mbarë botën.
Në këtë sfidë një prioritet i madh është ofrimi i shërbimeve shëndetësore për pacientët në nevojë ose për ata, të cilët kanë nevojë për shërbimin tonë. Kjo nënkupton që duhet t’i ofrohet çdo pacienti, mjeku, motra adekuate, shërbimi, barnat oksigjeni shtrati të gjitha ato që janë të nevojshme.
Menaxhmenti ka bërë çdo gjë të mundshme bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë, duke na përkrahur fuqishëm edhe kryeministri i Kosovës që çdo gjë të shkojë sa më mirë që është e mundur në shërbim të ofrimit të ndihmës sa më të afërt për pacientin.
Sa ka mbetur hapësirë për pranimin e pacientëve të rinj në spital?
Maliqi: Qendra Klinike është mjaft e madhe dhe ka mbi dy mijë shtretër. Qendra Klinike Universitare, ka në dispozicion disa klinika, këto klinika janë quajtur klinika COVID. Një nga to është Klinika Infektive, Klinika e Pulmologjisë, Klinika Interne, blloku që tashmë është adoptuar, është dizajnuar dhe destinuar për COVID, bashkë me mjekimin qendror intensiv COVID, duke na lënë e duke e pasur parasysh edhe klinikën rezervë, e cila është Klinika e Mjekësisë Sportive.
Si do të veproni në momentin kur nuk do të ketë më kapacitete?
Maliqi: Ne kemi hapësirë të mjaftueshme, por krahas mobilizimit të stafit dhe menaxhemntit për t’i ngritur kapacitetet e nevojshme për çështjen e pandemisë, në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qeverinë, janë duke marrë masat e parandalimit.
Ne, jemi duke marrë masat maksimale dhe besoj se do t’ia arrijmë. Tani jemi stabil është një gjendje e kontrollit të plotë. S’ka pacient që nuk është duke e marrë trajtimin adekuat, mjekët adekuat, ndihmën adekuate, përkrahjen adekuate. Ka oksigjen të mjaftueshme dhe asnjë pacient në mbarë Kosovën, nuk është i lënë nga kjo e drejtë për shkak të ndonjë mungese që eventualisht mund të potencohen.
Pra, deri të hënën veç do ta kemi edhe një operator të ri, i cili licencohet në Kosovë dhe kjo është mrekullia që ai do të prodhojë oksigjenin për krejt nevojat e Kosovës këtu dhe nuk kemi nevojë të varemi nga importi dhe do të jemi shumë të relaksuar, sepse produktin kryesor, i cili është më i konsumuari, ne do ta kemi të siguruar.