LAJME

Drejtoresha Veselaj-Gutaj i kundërpërgjigjet kuvendarit Hodaj: Mirënjohja – vlerë e hasjanëve!

TV Prizreni
TV Prizreni
28 Tetor 2025, 22:18

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj – Gutaj, në një postim në Facebook, i është kundërpërgjigjur kuvendarit të LDK-së, Haziz Hodaj, i cili ka shprehur zhgënjimin e tij për faktin që në ceremoninë inauguruese të shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Mazrek të Hasit, nuk u përmend kontributi i ish-drejtorit dhe njërit prej themeluesve të këtij institucioni, Osman Jahaj.

Drejtoresha Veselaj – Gutaj ka thënë se merita për ndërtimin e kësaj shkolle i takon Drejtorisë së Arsimit.

“Ditëve të fundit përuruam godinën e re të shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në fshatin Mazrek të Hasit. Siç ndodh shpesh në raste të tilla, përmenden emra të ndryshëm për të cilët thuhet se janë “meritorë” për ndërtimin e shkollës së re, madje edhe se komuna nuk ka treguar mirënjohje për angazhimin e tyre. Megjithatë, askush nuk e ka meritën ekskluzive për ndërtimin e kësaj shkolle. Merita i takon shtetit, institucioneve tona përkatësisht Drejtorisë së Arsimit e cila në kohën e duhur e ka identifikuar nevojën për ndërtimin e objektit të ri dhe ka nisur procedurat për realizimin e tij. Në këtë proces kanë kontribuar të gjithë: komuniteti shkollor, stafi arsimor, prindërit dhe banorët e fshatit Mazrek”, shkruan Veselaj – Gutaj.

Ajo ka shtuar se në shtetin tonë nuk ka njerëz “ekskluzivë”, as “njerëz mbi njerëz”, por sipas saj, ka institucione që funksionojnë sipas procedurave dhe rregullave të përcaktuara. Veselaj – Gutaj thekson se ekskluzivitetet e “meritave individuale” i takojnë së kaluarës.

“Gjithmonë u jemi mirënjohës të gjithë komunitetit të fshatit, hasjanëve të përkushtuar që fëmijët e tyre të marrin arsim cilësor në hap me kohën, kontributi i të cilëve për zhvillim të arsimit është i veçantë, si dhe të gjithë komunitetit shkollor, të cilët përmes ngritjes së shqetësimeve për kushtet e dobëta shkollore na shërbeu si bazë për të nisur procedurat e ndërtimit të godinës së re shkollore”, është shprehur tutje drejtoresha e Arsimit.

Në fund, ajo ka dhënë edhe një informacion për qytetarët lidhur me historikun e fillimit të ndërtimit dhe përfundimit të punimeve të shkollës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Mazrek:

  • Më 26.04.2023 lidhet kontrata për ndërtimin e shkollës;
  • Më 17.05.2023, fillimi i punimeve – vendoset gurëthemeli i shkollës;
  • Më 07.10.2025 bëhet përurimi i shkollës.

“E gëzofshi shkollën e re! Njëherit urojmë nga zemra që shkolla e re ShFMU “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të jetë vatër e dijes dhe përparimit, dhe që prej saj të dalin gjenerata të ditura, të afta, të përkushtuara dhe kompetente për të kontribuar në zhvillimin e shtetit tonë”, shtoi në fund ajo.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika