Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, Ajlin Shishko Hajdari, ka reaguar ndaj deklaratave dhe akuzave të bëra lidhur me procesin e ndarjes së subvencioneve, duke theksuar se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përmes një reagimi publik, ajo ka sqaruar se roli i saj ka qenë propozimi i Komisionit për Vlerësimin e Projekteve, ndërsa vlerësimi i aplikacioneve, pikëzimi dhe rekomandimet për përfituesit janë bërë në mënyrë të pavarur nga komisioni profesional, bazuar në kriteret e përcaktuara në thirrjen publike.
Shishko Hajdari ka deklaruar se kohët e fundit drejtoria është përballur me akuza dhe pakënaqësi nga disa anëtarë të Kuvendit Komunal nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas saj, në seancën e fundit ishte kërkuar që Komisioni për Vlerësimin e Projekteve të raportonte para Kuvendit, por kjo kërkesë nuk u miratua, pasi, sipas saj, nuk mbështetet në kompetencat ligjore që rregullojnë raportimin e shërbyesve civilë.





