LAJME

Dorëzohet në Speciale peticioni me 200 mijë nënshkrime

Dorëzohet në Speciale peticioni me 200 mijë nënshkrime
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Maj 2026, 10:21

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, bën të ditur se sot në Gjykatën Speciale në Hagë kanë dorëzuar 200 mijë nënshkrime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Gucatit, këto nënshkrime përfaqësojnë “200 mijë zëra që kumbojnë me një kërkesë të vetme – drejtësi për çlirimtarët”.

“Ky nuk është thjesht një peticion, është vullneti i pastër i një kombi që nuk e harron sakrificën”, shkruan ai.

Gucati ka shprehur besimin e tij në, siç e quajti, “luftën e pastër të UÇK-së”, duke uruar që gjatë kësaj vere ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë.

“Me besimin e palëkundur te lufta e pastër e UÇK-së, urojmë dhe shpresojmë që këtë verë dielli të lindë ndryshe – me krerët tanë në shtëpi, aty ku e kanë vendin, në Kosovën e lirë”, ka thënë Gucati.

Peticioni online u nis më 25 shkurt. Nëpërmjet tij bëhet thirrje për proces të drejtë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

E pikërisht sot, Gjykata Speciale ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, është thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika