Një person i kërkuar nga organet e rendit është dorëzuar mbrëmjen e sotme në Stacionin Policor të Suharekës.
Rreth orës 19:30, i dyshuari Fazli Ndrecaj është paraqitur vullnetarisht në polici, i shoqëruar nga avokati i tij. Sipas autoriteteve, ai dyshohet për përfshirje në vepra penale që lidhen me shitjen dhe posedimin e lëndëve narkotike.
Burime nga Policia bëjnë të ditur se Ndrecaj kishte qenë në kërkim për një periudhë të caktuar kohore, ndërsa ekzistonin dyshime se ai mund të ishte i armatosur. Për kapjen e tij, Policia e Kosovës kishte hartuar një plan operativ, duke përfshirë njësi në uniformë dhe hetues në rroba civile.
Në këtë operacion ishte vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, e cila ishte e gatshme të ofronte mbështetje në rast nevoje.
Pas dorëzimit të të dyshuarit, rasti i është kaluar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë. Në bashkëpunim me prokurorin kompetent, pritet të ndërmerren veprimet e mëtejshme procedurale, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.