Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është deklaruar pas dorëheqjeve që po ndodhin në këtë parti.
Ai arsyetohet se këto dorëheqje po vijnë pasi këta anëtarë nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar në parti dhe po lirohen nga detyra, raporton Zeri.info.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale. Organizimi i brendshëm i Aleancës mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.
Ai thekson se vendet e lëna bosh do t’i zënë gjeneratat e reja.
“Koha në të cilën po veprojmë është kohë e sfidave të mëdha dhe kërkon vullnet, përkushtim e guxim për punë. Jam tejet i lumtur që Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjve, të gatshëm të përballen me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet.
Kjo garë rezultatin e parë do ta japë në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të brendshme në parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Duke u uruar sukses mijëra anëtarëve të Aleancës që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës sonë të përbashkët. Aleanca ishte dhe do të mbetet parti e vlerave demokratike, në shërbim të atdheut e të qytetarit”, përfundon ai.
Kujtojmë se e fundit që dha dorëheqje nga kjo parti është nënkryetarja e AAK-së, njëherësh anëtarja e Kryesisë, Magbule Shkodra. /Zëri