Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet të lënë menjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale midis tyre, të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkuara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar, tha të hënën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla.
Znj. Gërvalla i theksoi këto aspekte gjatë takimit që zhvilloi me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z.Qemal Minxhozi, me të cilin, përveç thellimit dhe forcimit të raporteve midis dy vendeve, diskutoi edhe për situatën aktuale me pandeminë, dhe në veçanti për zhvillimet politike në rajon.
“Duke u bazuar në historinë tonë të përbashkët, nuk është asgjë sekrete se Republika e Shqipërisë është partneri ynë kryesor strategjik në rajon, prandaj është shumë e natyrshme që edhe si klasë politike edhe si institucione të aplikojmë politika shtetërore që kanë për qëllim vullnetin e qytetarëve tanë”, tha drejtuesja e diplomacisë kosovare.





