Menaxhmenti i Lartë i Administratës Tatimore të Kosovës ka mbajtur takim me donatorët ndërkombëtarë – Bashkimin Evropian, FMN-në, GIZ-in, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Luksemburgut, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në ATK, mbështetja e deritanishme dhe prioritetet për fazën e ardhshme.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë vendimtar në modernizimin e administrimit tatimor ndër vite. Ai theksoi se asistenca teknike, projektet e digjitalizimit dhe përkrahja në ngritjen e kapaciteteve profesionale kanë ndihmuar që ATK të bëhet një institucion më transparent, më efikas dhe më i orientuar drejt tatimpaguesve.
Partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë, në komentet e tyre, vlerësuan progresin e ATK-së, duke theksuar se institucionet ndërkombëtare po shohin rezultate të prekshme dhe përkushtim të qartë në zbatimin e reformave. Ata theksuan se ATK ka demonstruar gatishmëri për modernizim dhe qeverisje të mirë, duke justifikuar plotësisht mbështetjen e dhënë deri më tani dhe duke krijuar bazë të fortë për projekte të reja zhvillimore.





