Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest, të premten ka shpallur listën prej 109 filmave në tetë programet garuese që do të synojnë të fitojnë çmimet e festivalit.
Sipas njoftimit nga organizatorët, “programet garuese të edicionit të 21-të të DokuFest janë plot me filma që do të na bindin se filmi është e vetmja formë e artit që na ngjall dëshirën për të ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona”.
Drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, është i bindur që filmat e përzgjedhur do ta mahnisin audiencën.
“DokuFest ka kënaqësinë t’i rikthehet ritmit të mëparshëm, me një program eklektik të filmave, që me shumë bindje them se do ta mahnisë, prekë, e madje edhe ta trondiste audiencën. Të jemi në gjendje të prezantojmë vepra të cilësisë më të lartë, vit pas viti, për audiencën tonë gjithnjë në rritje, është qëllimi ynë më i madh dhe ne jemi veçanërisht të emocionuar për këtë”, ka thënë Nurkollari.
Ndërkohë, Samir Karahoda, programues i filmave të shkurtër në DokuFest, u shpreh i emocionuar me temat e sivjetmë që do të trajtohen nga filmat e përzgjedhur nga festivali.
“Ndihemi jashtëzakonisht të lumtur për atë që kemi përgatitur dhe atë që do të ndajmë me publikun tonë dhe dashamirësit e formatit të filmave të shkurtër. Prezantimi i një larmie veprash të veçanta dhe të freskëta që trajtojnë temën e sivjetme të festivalit dhe të historive të paparë deri më tani, është ajo që më emocionon më së shumti”, ka thënë Karahoda.
“Në ditët në vijim, DokuFest do të vazhdojë me publikimet e programit, duke përfshirë përzgjedhjen e filmave për programin e njohur View From the World, një mori programesh tjera të kuruara posaçërisht për këtë edicion, si dhe të performancave muzikore”, thuhet në njoftim.
DokuFest do të mbahet nga 5 deri më 13 gusht në Prizren.