Dogana e Kosovës ka njoftuar se të enjten në mbrëmje se ka zbuluar 150 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare në Vërmicë.
“Rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë, drejtuesi i së cilës, pas pyetjes nga zyrtarët doganorë, ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të veturës, zyrtarët e Antikontrabandës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara. Fillimisht, drejtuesi i veturës ka deklaruar verbalisht se shuma ishte 120,000 euro, ndërsa pas numërimit është konstatuar se bëhej fjalë për 150,000 euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 euros”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.





