Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se rreth 70 pacientë të Klinikës së Onkologjisë nuk kanë marrë terapinë me “Palbociclib” në këtë klinikë për shkak të mungesës së barit, e cila ka zgjatur pak më pak se nëntë javë, duke u detyruar ta sigurojnë atë privatisht.
Gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka raportuar edhe për mungesat e barnave të tjera onkologjike. Këto të dhëna Vitia i ka paraqitur duke iu përgjigjur deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, e cila ngriti shqetësimin për mungesën e barnave esenciale dhe rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur rreth katër muaj pa terapi dhe më pas kishte vdekur.
Lidhur me mungesën e “Palbociclibit”, Vitia ka sqaruar se ky medikament është përfshirë për herë të parë në listën e barnave esenciale në vitin 2025, ndërsa planifikimi fillestar ishte bërë për 40 pacientë, bazuar në kërkesat e Klinikës së Onkologjisë.
“Në pyetjen e parë, medikamenti “Palbociclib” është futur për herë të parë në Kosovë në listën e barnave esenciale për vitin 2025. Menjëherë kanë filluar përgatitjet për sigurimin e tij dhe, duke qenë medikamenti i sapo futur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në klinikën e Onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë. Ministria e Shëndetësisë e ka kërkuar buxhetin shtesë në Ministrinë e Financave dhe kjo kërkesë është miratuar”, tha ai.
Vitia ka theksuar se dyfishimi i kërkesave ka ndikuar që kontrata për këtë medikament të shpenzohet më shpejt sesa ishte planifikuar. Sipas tij, sasia e planifikuar për një vit është shpenzuar në nivelin 130 për qind brenda vetëm nëntë muajve.
“Si pasojë e dyfishimit të kërkesave për këtë medikament, kontrata është shpenzuar 130 përqind sipas mundësive ligjore që na jep ligji dhe ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100 përqind, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130 përqind për vetëm 9 muaj. Mundësia e hapjes së procedurës së re ka qenë e pamundur pa aprovimin e buxhetit”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë shpalosi raportin e SHSKUK-së, QKUK-së dhe Klinikës së Onkologjisë sesa pacientë kishin mbetur pa terapi.
“Sipas raporteve nga SHSKUK QKUK dhe Klinika e onkologjisë numri i pacientëve që nuk kanë marrë terapinë në klinikë por që kanë siguruar në mënyrë private për shkak të mungesave është për Pablociklib janë rreth 70 pacientë në mungesë pak më pak se nëntë javë. Për Bevacuzimab po ashtu kanë qenë rreth 70 pacientë, ka zgjatur 13 javë për shkak të përsëritjeve të procedurave për Dabrafinib janë 12 pacientë mungesa ka zgjatur 20 javë përsëritje. Bicotulamib janë rreth 70 pacientë mungesa ka qenë rreth 12 javë për shkak se nuk ka pasur ofertues. Surafenib 14 pacientë për tetë javë”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mungesat e vazhdueshme të barnave, duke kërkuar përgjegjësi lidhur me rastin e pacientes që kishte mbetur katër muaj pa terapi.
Jashari tha se pacientja nuk kishte pasur mundësi ta blinte vetë barin, për shkak të kostos që arrinte deri në 1 mijë e 800 euro.
“Përveç betejës me sëmundjen, këta qytetarë detyrohen të përballen edhe me një betejë tjetër, atë për të siguruar barnat që mund ti shpëtojnë jetën, tua lehtësojnë dhimbjen dhe tu japin shpresë për shërim.. Kemi të bëjmë me një papërgjegjësi shtetërore që nuk mund të injorohet. Ajo kishte mbetur rreth katër muaj pa barin sepse mungonte në Onkologji dhe nuk kishte mundësi ta blinte sepse kostoja arrinte deri në 1 mijë e 800 euro, katër muaj pa barin që e ndihmon në terapinë e kancerit”, tha Jashari./KP